Atletico Madridi ka shënuar fitore ndaj Real Valladolid me rezultat 2-1 në xhiron e fundit të La Ligas, duke u shpallur kampion i Spanjës. Me 86 pikë të tubuara, Los Colchoneros e mbyllin si të parët kampionatin, duke lënë pas Real Madridin dhe Barcelonën.
Ky është titulli i 11-të i kampionit për Ateletico Madridin, ndërsa fiton sërish trofeun e më të mirët në Spanjë pas shtatë vitesh. Ndeshja nisi më mirë për Real Valladolid që shkoi në pushim me rezultat 1-0 me golin e Oscar Plano në minutën e 19-të të takimit. Atletico u mundua të bëjë më shumë në këtë pjesëlojë, por nuk arritën të shënonin edhe pse kishin raste.
Por me të filluar pjesa e dytë, Atletico shtoi sulmet drejt portës kundërshtare. Ishte Angel Correa që shënoi gol të bukur, duke dribluar disa kundërshtarë, pastaj me një goditje të bukur shënoi për 1-1 në minutën e 57-të.
Nuk vonoi shumë dhe Atletico mori epërsinë, ku Luis Suarez shënoi në minutën e 66-të për 2-1. Uruguaiani mori një top në mesin e fushës dhe i vetëm me portierin shënoi me qetësi të madhe. Deri në fund Atletico kishte edhe raste tjera për të shënuar, por që rrjeta heshti. Me t’u dëgjuar fishkëllima e fundit e gjyqtarit, lojtarët e Atleticos filluan festën.