Gara ku atleti Muhamet Ramadani zuri vendin e dytë të shtunën, nuk ishte më e rëndësishmja në karrierën e tij. Nuk është as për së afërmi niveli i garave ku Ramadani ka siguruar medalje. Por, e rëndësishme për Federatën Atletike të Kosovës (FAK) është ngritja e Ramadanit në karrierë.
Në mitingun ndërkombëtar të mbajtur në Tivar, e ku morën pjesë atletët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi, atleti nga Mitrovica vuri rekord të ri të Kosovës në disiplinën e hedhjes së gjyles 7260 kilogramë. Rezultati më i mirë i Ramadanit ishte 18 metra e 64 centimetra. Për 18-vjeçarin ishte garë në konkurrencën e seniorëve. Me rezultatin e arritur të shtunën, Ramadani ka fituar 1040 pikë të Federatës Botërore të Atletikës (IAAF).
“Gara ka qenë e fortë, ka pasur një konkurrencë të madhe. Ka qenë garë e rëndësishme për mua, pasi kanë marrë pjesë garues të nëntë shteteve. Gara si senior kam bërë edhe më herët në Kosovë dhe Shqipëri, por kjo ka qenë më e rëndësishmja që e kam pasur si senior. Tani pres të kem suksese edhe në gara të tjera që më presin në vazhdim. Kam shumë plane për të ardhmen time dhe shpresoj t’i realizoj”, ka thënë Ramadani të dielën për KOHËN.
Atleti perspektiv i Kosovës është fitues i medaljes së artë në festivalin olimpik evropian për të rinj “Baku 2019”, ndërsa tri herë e ka fituar medaljen e artë në hedhje të gjyles në Kampionatin Ballkanik U20.
“Vënia e rekordit në hedhje të gjyles sigurisht se më bën të ndihem krenar dhe ta vlerësoj si rezultat të rëndësishëm në karrierë. Tash pres të kem rezultate të mira edhe në garat e ardhshme. E kam Evropianin U20 në korrik që mbahet në Estoni, pastaj në gusht kampionatin botëror në Keni. Nga këto dy gara presim të kthehemi me medalje, por edhe të përmirësoj rezultatin tim personal. Unë po punoj fort për të shënuar ngritje në karrierë dhe për t’i sjellë Kosovës sa më shumë medalje”, ka thënë Ramadani.
Armin Sinançeviq i Serbisë zuri vendin e parë në Tivar. Ai kishte hedhje prej 21.88 metrash. Ai arriti rekord të Serbisë dhe të Ballkanit. Sinançeviq është garues i nivelit të lartë.