Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në e departamentin e krimeve të rënda sot është mbajtur seanca për vazhdimin të shqyrtimit gjyqësor në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Pas përfundimit të kësaj seance, kanë folur avokatët e të akuzuarve. Avokati i Silvana Arsoviqit, Musa Damati, para gazetarëve ka thënë se demanton deklaratat e disa nga figurat e larta të politikës serbe, pasi siç tha ai kanë tentuar ta politizojnë përfshirjen dhe angazhimin tij si avokat në këtë çështje penale.
“Unë i demantoj ato, nuk janë të vërteta dhe deklaratat e tilla mund të interpretohen si ndërhyrje në drejtësi. Unë si avokat punoj që nga fillimi në këtë çështje voluminoze penale dhe do ta jap kontributin tim profesional maksimal që të konkretizohet pafajësia e klientes time dhe në fund të këtij procesi ligjor, do të konfirmohet se klientja ime është e përfshirë në mënyrë aksidentale në aktakuzën e Prokurorisë Speciale”, tha shkurt Damati.
Ndërsa avokati i Rade Basaras, Tomë Gashi, tha se klienti i tij ka qenë hetues i Policisë së Kosovës, ndërsa kërkoi që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tij.
“Nuk ka kurrfarë prova sepse ai këtë nuk e ka bërë, kurrfarë informata nuk iu ka dhënë shërbimeve serbe, në kuptimin as policisë serbe dhe as të tjerëve. Ai ka pas një hierarki të cilës i ka dhënë përgjegjësi dhe të gjithë janë zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës në regjionin e Mitrovicës ku ka punuar ai. Është tepër, tepër e rëndësishme që të vërtetohet që pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq”, tha Gashi.
Ai u shpreh se “Është e rëndësishme që të vërtetohet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq”.
“Sa i përket Millan Radoiçiqit pa marrë parasysh aludimet për të që kinse Rade Basara dhe të tjerët i kanë takuar grupit të tij kriminal, nuk ka ende një vendim të plotfuqishëm për ndjekjen e tij, për implikimin e tij në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, shtoi Gashi.