Avokati Berisha: Armët e sekuestruara po ua japin Policisë

Avokati Berisha: Armët e sekuestruara po ua japin Policisë

Avokati Besnik Berisha, ka bërë të ditur se armët e sekuestruara nga krime të ndryshme të kryera në Kosovë do t’i marrin zyrtarët policorë të Kosovës dhe kjo po bëhet kundërligjshëm.

Duke folur për zhvillimet e fundit në veri dhe situatën në të cilën ndodhet Policia e Kosovës, avokati tha se Kosovës askush nuk po i shet armë, për çka i ka akuzuar pushtetarët, që sipas tij, duke u “koordinuar” dhe “negociuar” me zyrtarët e Listës Serbe apo Milan Radoiçiqin, e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

Berisha tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës bashkë me MPB-në e kanë gjetur një modalitet, për të cilin u shpreh se është anti-ligjor pasi “po nënshkruhen vendime që armët e sekuestruara t’ua japin Policisë së Kosovës”.

“Jemi shteti që nuk na shet më armë askush, pra askush nuk i shet armë Republikës së Kosovës. As në Shqipëri s’ka pasur mundësi të blejë armë. Ministri Sveçla e ka një hall që po flenë në Belvedere.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës bashkë me MPB-në e kanë gjetur një modalitet, për mua në shkelje të ligjit. Armët e sekuestruara nga qytetarët e Republikës së Kosovës po mendohet e po punohet e po nënshkruhen vendime për me ua dhënë Policisë për me mbrojtë shtetin e sovranitetin.”

Ai tutje kritikoi Qeverinë se e kanë sjellë vendin në këtë situatë pas 23 vjetësh dhe po tentojnë të shtrijnë sovranitetin në veri “pa asnjë fishekë”.

“Jemi në një embargo të armëve pas 23 vitesh. Na i ka pru kjo politikë, këta njerëz që janë negociu me Radoiçiqin. Sot jemi në sanksione. As Edi Rama nuk na mundëson me importu armë për Policinë e Kosovës.”, shtoi ai.

“Gjykatat tona të cilat kanë filluar në Ferizaj e tutje që po nxjerrin vendime që me ia dhënë ministrisë të drejtën, që me i nxjerrë armët që janë urdhëruar për shkatërrim, për me ia dhënë Policisë me mbrojtë vendin. Armë e kallashnikovë të përdorura në vrasje, grabitje e krime të ndryshme, me kërkesën e kësaj Qeveria, sot gjykatat po ia kthejnë Policisë për shkak të luftës që e kemi nisë e s’kemi asnjë fishekë.“

 “Unë po ua them me përgjegjësi, po e ftoj prej Albinit e deri te ushtarët me ‘fake’ faqe, që janë 300-400 vendime të gjykatave që po u kthehen armë e sekuestruar e që po u jepen Policisë. Nëse dikush thotë ndryshe, unë prapë jam këtu”, përfundoi Berisha në Rubikon.

Related Articles