Avokati i Thaçit: Vendimi në Hagë ishte i paracaktuar, u injoruan prova të rëndësishme

Avokati i Thaçit: Vendimi në Hagë ishte i paracaktuar, u injoruan prova të rëndësishme

Pierre-Richard Prosper, pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, ka kritikuar ashpër vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Prosper ka pretenduar se procesi gjyqësor ishte i ndikuar politikisht dhe se vendimi ishte përcaktuar paraprakisht.

Sipas tij, gjatë procesit janë anashkaluar prova që mbrojtja i konsideron të rëndësishme, përfshirë raporte të inteligjencës së NATO-s dhe një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 1999.

Prosper tha se këto materiale, sipas interpretimit të mbrojtjes, tregonin se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të unifikuar komanduese dhe se Thaçi dhe të tjerët nuk kishin mundësi të jepnin urdhra për personat në terren.

“Ne kishim informata të besueshme, kredibile, nga i gjithë aparati i inteligjencës së NATO-s, të shteteve anëtare të NATO-s dhe të vendeve të tjera, që e kishin bërë të qartë që nuk ka organizim, komandë dhe kontroll të UÇK-së”, ka thënë Prosper.

Ai shtoi se mbrojtja ka paraqitur 44 ankesa në Apel, duke pretenduar se asnjë prej tyre nuk është pranuar, ndërsa sipas tij, prokuroria ka pasur rezultat të kundërt.

Prosper kritikoi edhe qasjen e trupit gjykues, duke pretenduar se gjatë procesit gjyqtarët janë sjellë në disa raste si prokurorë.

Related Articles