Avokati tregon qysh po ndihet Fero pasi iu dhanë 30 ditë paraburgim

Avokati tregon qysh po ndihet Fero pasi iu dhanë 30 ditë paraburgim

Feronit Shabani, i njohur në botën e hip-hopit me nofkën ‘Fero’, e ka gjetur veten në anën e kundërt të ligjit, derisa të mërkurën iu shqiptua masa prej 30 ditëve paraburgim.

Të hënën, Nacionale publikoi video ekskluzive të gjilanasit, ku shihet duke sulmuar persona në një veturë të tipit Golf 6.

Pamjet shkuan viral, derisa tutje i takonte policisë të merrej me rastin.

Ditën tjetër e bëri këtë, pas shumë pikëpyetjeve rreth lokacionit, duke arrestuar reperin, i cili fillimisht u mbrojt nga avokati Egzon Halimi.

Halimi zbuloi edhe arsyen e incidentit, me mollë sherri që doli të jetë – sipas tij – një diss i Unikkatilit për Feron, ku reperi që banon në Amerikë pretendohet të fyejë homologun nga Gjilani.

“Ai (Fero) e ka pasë ni nejë me do fëmijë, para banesës së vetë, edhe do djem të rinj kanë shku aty e kanë fy, e kanë sha por ky nuk ka reagu”, tha fillimisht Halimi.

“Herën tjetër kur janë kthy (viktimat) e kanë lëshu një kangë të Unikkatilit, ku ai po e ofendojka diçka këta (Feron). Atë kangë e kanë lëshu me zë të lartë, Fero u nervozu edhe u shku i ka sulmu në afekt”.

Të mërkurën në mesditë, Gjykata e Gjilanit njoftoi se Feros i është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë, duke përmendur vetëm një viktimë të dhunës së reperit, me inicialet E.E.

Sidoqoftë, Gjykata ka rënë pre e presionit medial me këtë masë rigoroze për reperin, sipas avokatit të ri mbrojtës të tij, Ilir Shaqiri.

Për Nacionalen, i njëjti ka thënë:

“Vendimet e gjykatës nuk i komentojmë. Besoj që është bo një padrejtësi e madhe për shkak të efektit të medieve, megjithatë, do të bëjmë ankesë në Gjykatë”.


I menjëhershëm ka qenë reagimi në internet rreth videos në fjalë të reperit duke sulmuar viktimën E.E, 19-vjeçar.

Cili është disponimi aktual i Feros pas ngjarjes?


Epo, sipas Shaqirit, reperi ka reflektuar mbi ndodhinë dhe ndihet i penduar.

“Patjetër (që është pendu). Gjatë gjykimit ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhë se ka qenë i provokuar me fyerje të rënda, jo vetëm për aspektin e muzikës siç është përhapur nga mediet, po edhe për shkak të gjesteve dhe fyerjeve që i ka bo i dëmtuari. Mirëpo, ky është artist, edhe normalisht që ka ndi keqardhje për këtë situatë”.

Tutje, Shaqiri potencon se ka pasur përmirësim të raporteve mes dy palëve.

“E kanë përafru situatën edhe mes familjeve për këtë çështje, e që është shumë e rëndësishme me u cekë kjo pikë. Ai (Fero) është i penduar dhe i vjen shumë keq për krejt çka ka ndodhë, sidomos që ka ndodhë në qytetin e Gjilanit”.

Rrahja e Feros në Prishtinë

Në mars të vitit 2018, reperi Fero ishte sulmuar nga disa persona në hyrje të ‘Albi Mall’.

Përgjegjësinë për sulmin e morën dy persona të cilët pastaj dolën të jenë reperë, Ligriti dhe R-Jan.

Shkëmbime të vazhdueshme mes dy palëve ka pasur pas këtij incidenti, i cili konkludohet me rimën e Feros në këngën “Alles Baba” në dhjetor të vitit 2018 ku thotë: “Alltinë që e ke pasë, tash u bo alltia jem”.

Pas sulmit nga dyshja prishtinase, Fero thuhet të jetë “hakmarrë” ndaj Ligritit, të cilin – së bashku me truprojën e tij – e kanë rrahur në Prishtinë, duke ia marrë edhe revolen të cilën Ligriti e posedonte në momentin e sulmit nga reperi gjilanas.

Reperi në vazhdimin e rimës pretendon të zbulojë edhe detaje tjera: “Alltinë që e ke pasë tash u bo alltia jem. Gjashtë plumba janë në cev, hajde mafiash, hajde merre n’mujsh apet”, thotë ai.

Përfshirja e Feros në përleshjen në Mitrovicë

Vetëm tetë muaj pas incidentit në Albi Mall, Fero u përfshi në një tjetër rrahje. Kësaj radhe, pamjet janë paksë më të paqarta, edhe pse në disa sekuenca ai shihet duke hedhur disa grushte mbi një turmë njerëzish në një lokal në Mitrovicë.

Për të qenë të drejt, në këto pamje shihet se reperi fillimisht sulmohet nga një person në të djathtë, para se të reagojë.

Inventar i rrotulluar, e njerëz të traumatizuar që shikonin ishin pasojat, derisa videoja përfundon me copëzat e dëmtimeve që i lanë prapa të përfshirit në këtë përleshje.

Më vonë, Fero reagoi me një video në rrjetet sociale, ku – në mesin e një fjalori eksplicit – shprehet:

“Ma me babën se me babën veç han dajak”.

I shkoi para banesës reperit rival

Për një kohë të gjatë, Fero ka qenë i përfshirë në një luftë verbale me reperin rival nga Tetova, S4mm.

Kërcënimet e kanosjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme, derisa Fero u duk se e dërgoi situatën në një nivel tjetër kur iu shfaq S4mm-it para banesës së tij në Tetovë, teksa “bllokon rrethin” qarkullues në trafik dhe bërtet “gang, gang”.

Fero sulmon një person në rrugë dhe e filmon

Një prej paraqitjeve më bizare të reperit gjilanas erdhi së fundmi, në vitin 2022, kur u shfaq në një Instagram live duke mos kursyer komente denigruese e homofobike ndaj rivalëve të tij, ndoshta më së shumti për Unikkatilin, me të cilin ishte përfshirë në një luftë dissash së fundmi.

Në një moment gjatë livet të tij në Instagram, ai ndalë veturën dhe del për të sulmuar atë që përshkruhet si “fans” nga një video që qarkulloi në TikTok.

Ai dëgjohet teksa thotë: “Kush o këtu veç një gangster ëh, kush o veç një gangster”, para se të kthehet në makinë për të vazhduar monologun bizar.

Me pak fjalë, është e shkruar me ‘caps lock’ në qiell… shenjat janë gjithandej. Nuk i takon vetëm të afërmve të tij të kujdesen për mirëqenien e tij, por edhe neve si shoqëri.

Trendi i sjelljeve të dhunshme të Feros sigurisht se ka një prapavijë të trishtë të një të riu të talentuar që ka rënë viktimë e sistemit social e industrial, e që ka nevojë për mbështetje morale nga të gjitha segmentet e mundshme institucionale. Andaj, është e rëndësishme të bëjmë më shumë për të dhe për të tillë si ai, para se gjërat të marrin kthesa edhe më tragjike.

Related Articles