AZ Alkmaar ka 22 herë vlerë më të madhe se Drita, por kampioni i Kosovës ndodhet më lartë në tabelë

AZ Alkmaar ka 22 herë vlerë më të madhe se Drita, por kampioni i Kosovës ndodhet më lartë në tabelë

Drita dhe AZ Alkmaar do të përballen sonte me fillim nga ora 18:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Kjo ndeshje është e vlefshme për xhiron e pestë në fazën e ligës në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës do të ketë përballjen më të vështirë deri më tani, teksa përballë ka gjigantin holandez AZ Alkmaar.

Vlera e skuadrave, holandezët vlerësohen 22 herë më shumë se kosovarët

Faqja e specializuar për vlerësimin e klubeve dhe futbollistëve, Transfermarkt ka bërë vlerësimin e dy klubeve, ku dallimi është shumë i madh.

Gjilanasit kanë një vlerë totale prej 6,5 milionë eurove, shumë herë më pak se kundërshtari i tyre i sontëm.

Në fakt AZ Alkmaar vlerësohet 22 herë më shumë se Drita. Gjiganti holandez ka vlerë prej 145 milionë eurove.

Futbollistët më të vlerësuar te të dy skuadrat

Drita dhe AZ Alkmaar kanë në radhët e tyre disa nga futbollistët më të mirë si në kampionatin kosovar ashtu edhe atë holandez.

Te Drita futbollisti më i vlerësuar është mesfushori Albert Dabiqaj, i cili vlerësohet 600 mijë euro nga Transfermarkt.

Kapiteni Rron Broja është në pozitën e dytë me vlerë prej 550 mijë eurove.

Në pozitat tre dhe katër janë dyshja, mbrojtësi Egzon Bejtulai dhe sulmuesi Almir Ajzeraj që vlerësohet nga 500 mijë euro, ndërkohë top pesë e mbyll sulmuesi Arb Manaj me një vlerë prej 450 mijë euro.

Te AZ Alkmaar vlera e thuajse gjithë futbollistëve kalon miliona euro.

Në krye si futbollistët më të vlerësuar janë sulmuesi irlandez Troy Parrott dhe mesfushori i talentuar holandez Kees Smit me nga 22 milionë euro.

Mesfushori tjetër holandez, Sven Mijnans vlerësohet 14 milionë, mbrojtësi Wouter Goes 12 milionë derisa top pesëshja mbyllet me sulmuesin Mexx Meerdink me vlerë prej 10 milionë eurove.

Drita më lartë në tabelë se AZ Alkmaar

Pas katër xhirove në fazën e ligës në Ligën e Konferencës, dy skuadrat po kërkojnë kalimin tutje.

Drita ndodhet më lartë se holandezët, pasi deri më tani ka grumbulluar tetë pikë, duke marrë dy fitore dhe dy barazime.

Nga ana tjetër AZ ka pësuar dy humbje dhe ka fituar dy ndeshje të tjera ku ka gjashtë pikë.

Bardhekaltërtit nga Gjilani zënë vendin e tetë me 8 pikë, ndërsa holandezët janë në pozitën e 20 me dy pikë më pak. 

Related Articles