Harry Maguire ka treguar se babai i tij i theu brinjët gjatë trazirës së shkaktuar nga tifozët pa bileta të cilët u futën dhunshëm në stadiumin Wembley para ndeshjes finale në Euro 2020 të dielën.
Babai i mbrojtësit të Anglisë u zu në rrëmujën e madhe brenda stadiumit dhe kishte telashe me frymëmarrjen. Maguire e ka përshkruar atë që kishte ndodhur si diçka të frikshme dhe tha se familja e tij do të jetë më e vetëdijshme kur shkon për t’i shikuar ndeshjet në stadiumin në të ardhmen, raporton Gazeta Express.
Në një intervistë për The Sun, Maguire ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur me babanë e tij dhe u shpreh i lumtur që fëmijët e tij nuk ishin qenë të pranishëm.
“Babai im ishte në rrëmujë. Nuk kam folur shumë me të por jam i lumtur që fëmijët e mi nuk ishin në ndeshje. Ishte e frikshme. Ai më tha se ishte frikësuar dhe unë nuk dua që dikush të përjetojë diçka të tillë në një ndeshje futbolli”, tha Maguire.
Ylli i Manchester Unitedit shtoi: “Kam parë shumë video dhe kam folur me babanë dhe familjen. Babai im që e pësoi më së shumti. Ai kishte telashe me frymëmarrje pas rrëmujës për shkak të brinjëve, por ai nuk është tip që e bën të madhe, e vazhdon jetën”.
“Shpresoj se mund të mësojmë nga kjo. Babai im do të më përkrah mua gjithmonë dhe do të shkojë në stadium për ndeshje, por ai do të jetë më i vëmendshëm për çdo gjë që ndodh përreth. Gjërat kanë mundur të kishin shumë më keq, por duhet të sigurohemi se nuk do të ndodhë përsëri”, shtoi 28-vjeçari.
UEFA e hapi një procedurë disiplinore ndaj Anglisë të martën dhe do t’i hetojë incidentet që ndodhën në finale.