Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur.
Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Gjilan, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një burri, i cili ka raportuar në Polici se vajza e tij 14-vjeçare është keqpërdorur seksualisht nga një person.
Bëhet e ditur se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi vajza ishte larguar nga shtëpia dhe dyshohet se kishte qëndruar në një motel, ku i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Përballë kësaj situate, pasi babai i viktimës e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, vendosi të kërkojë ndihmë, duke e raportuar rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.