Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmë pas mesnate në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një burrë ka deklaruar në Polici se dyshon që vajza e tij me të meta mendore, po keqpërdoret seksualisht nga persona të panjohur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas denoncimit të babait kanë filluar hetimet lidhur me rastin.
Bazuar në dëshminë e babait, 25-vjeçarja për katër ditë me radhë del nga shtëpia në orën 07:00 të mëngjesit dhe kthehet pak para mesnatës në shtëpi. E gjatë kësaj kohe që ajo gjendet jashtë shtëpisë, babai dyshon se ajo po keqpërdoret seksualisht.
Madje sipas tij, dy ditë më parë vajza është kthyer në shtëpi në gjendje të rëndë, ku pas kontrollit në trup i janë vërejtur shenja shkaktuara nga kafshimi.
Njësitet policore menjëherë janë vënë në lëvizje që të dyshuarit të identifikohen sa më shpejt dhe të zbardhen rrethanat e rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Keqpërdorim seksual i personave me çrregullime ose paaftësi mendore ose emocionale’.