Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Nabergjan të Pejës, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar një 45-vjeçar.
Sinjali mëson se i gjithë motivi që i shtyu drejt sherrit, janë disa punime në afërsi të pronës së viktimës. Ky i fundit nuk ishte pajtuar me vendosjen e disa shtyllave të përçuesve elektrikë nga të dyshuarit, gjë që kishte bërë që mes tyre të ketë mosmarrëveshje.
Babë e bir dyshohet se e kanë sulmuar viktimën dhe ky i fundit ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, babai është dërguar në mbajtje, ndërsa i biri është liruar në procedurë të rregullt. Të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për veprën penale ‘Sulm’.