Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një konflikt familjar ka ndodhur edhe dje në rrugën ‘Ibrahim Fehmiu’ në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj babait të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se 54-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje për disa vegla të punës, i biri e ka sharë e ofenduar e më pas e ka pështyrë në fytyrë.
E gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur pasi babai i kishte kërkuar djalit që veglat e punës t’i zhvendos në një vend tjetër, në mënyrë që të mos lagen nga rigat e shiut që kishin nisur të bien.
Si rezultat i denoncimit, 34-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.