Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka folur në lidhje me rolin e Francës për shtetin e Kosovës dhe ndërhyrjet e saj gjatë luftës në Kosovë. Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët dhe nga kryeministrit Kurti që sa më shpejt të lirohet për qarkullim normal ura mbi Ibër në Mitrovicë, raporton Gazeta Enigma.
Ai foli edhe për rolin e KFOR-it francez në veri të Kosovës dhe urën e Ibrit.
“KFOR është një organizatë e përbashkët për ruajtjen e rendit jo vetëm në pjesën e Mitrovicës, apo të Kosovës por të gjithë botës. Është e dijshme që kjo pjesë ka qenë e KFOR-it francez dhe jemi në këtë situatë ku kjo urë ende nuk është e liruar, që është një politikë jo reale. Derisa të mbahet peng kjo urë për të mos u liruar për shkak të disa njerëzve, të cilët kanë në kokat e tyre një fotografi tjetër të Kosovës dhe pretendohet që në këtë urë të ndahet Republika e Kosovës me atë të Serbisë, por kjo nuk do të ndodh kurrë, asnjëherë”, tha Bahtiri.
Ndërsa bëri apel te të gjithë krerët e shtetit dhe ata ndërkombëtar që sa më shpejt të lirohet ura në të cilën ndahet pjesa e Mitrovicës së Jugut dhe asaj veriore.
“Unë bëj apel te të gjithë qytetarët të pjesës së veriut por edhe të gjithë ndërkombëtarëve po ashtu edhe kryeministrit Kurti që sa ma shpejt të lirohet kjo urë, për arsye se kjo mbahet vetëm për çështje politike dhe asgjë tjetër, nuk ka të bëj asgjë me siguri. Ashtu siç po e shihni edhe ju se ka lëvizje të lirë të qytetarëve, asnjë problem dhe vetëm që 8 vite kemi vetëm 8 incidente. Unë dëshiroj që edhe kjo urë të jetë e lirë edhe për makina sepse nuk ka asnjë arsye se kjo urë të jetë e bllokuar”, theksoi ai.
Ai tha se sërish do të kandidojë për kryetar të Mitrovicës.
“Është e padiskutueshme që Kurti do të më kandidojë për kryetar të Mitrovicës. Secili qytetar i Mitrovicës ka të drejtë me pas aspiratë, ka të drejtë edhe me hi në garë por dihet se kush hin qysh ka me dalë. Kryetari Bahtiri është i padiskutueshëm dhe asnjë kundër kandidatë qoftë i partisë apo i partive tjera nuk ka kryetari Bahtiri”, tha ai për ATV-në.
Tutje ai shtoi se nuk sheh asnjë kundër kandidat qoftë edhe nga partia e tij sepse beson që ai do të qeveris edhe për një mandat.
“Unë prej 2013 kur të tjerët mendoni ndryshe dhe caktojshin përqindje 3 deri në 5 për qind, atëherë kam thënë që Mitrovica do të jetë nën udhëheqjen e Agim Bahtiri dhe tani po ju them që edhe një mandat nuk ka asnjë diskutim që Bahtiri do të udhëheq në mënyrën më të mirë të mundshme. Njeriu që bën për qytetarë askush s’mundet me e mund, kështu që jam pa konkurrencë”, tha Bahtiri. /Gazeta Enigma/