Bajrami: Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale

Bajrami: Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka raguar sot lidhur me shkuarjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin në Gjykatë për rastin e një kanosje ndaj tij, shkruan Gazeta Enigma.

Duke e quajtur Kurtin “deputet”, Bajrami ka thënë se “Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale”.

“Kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë. Kur po të njëjtat institucione nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë”, theksoi ajo.

Bajrami përmes një statusi në “Facebook”, tha se për LVV-në, “Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”, ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm”.

“Ai, që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen. I njëjti person refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore”.

“Sot kemi probleme të mëdha socio-ekonomike, por dëmi më i madh vjen nga denigrimi i institucioneve të drejtësisë. Ata që i dëmtojnë këto institucione duhet të ndëshkohen me votë”, përfundoi ajo. / Gazeta Enigma.

Related Articles