Në bashkëbisedimin e sotëm mes presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, u shqyrtuan rrethanat e pjesëmarrjes në samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet nesër në Bruksel dhe me këtë rast u morr vendim për të shkuar së bashku në samit.
Pas konsultimeve të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e qeverive, liderët e tre vendeve vendosën të shkojnë së bashku në samit, duke rënë dakord për parimet që do të jenë shtylla kryesore e bisedimeve me zyrtarë të shumtë të BE-së.
“Duke pasur parasysh se Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfaqësojnë vazhdimisht interesat e qytetarëve të tyre dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në të gjitha forumet përkatëse ndërkombëtare, vendimi për pjesëmarrjen dhe qasjen e përbashkët në samitin e Brukselit është një tjetër hap në luftën për përparimin tonë. Vendet tona po sinjalizojnë se pavarësisht pengesave të shumta, ne vazhdojmë të japim një kontribut konstruktiv në rrugën e integrimit evropian”, thuhet në ueb faqen e Presidentit të Republikës së Serbisë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se temat që do të diskutojmë në samit nuk do të jenë të lehta, por pjesëmarrja jonë do të tregojë dhe do të konfirmojë edhe një herë përkushtimin tonë në rrugën evropiane të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, u theksua më tutje në kumtesë.