asi Ballkani ishte shpallur kampion i Kosovës në muajin maj të këtij viti, titulli i parë absolut, suharekasit ishin harxhuar me të madhe në atë rrugëtim dhe nuk i kishin punët mirë në aspektin financiar.
Ata madje ishin detyruar edhe të kërkonin ndihmë dhe përkrahje nga Komuna e Suharekës.
Klubi therandas i kishte kërkuar 80 mijë euro nga Komuna, të cilat do t’i përdorte për fazën përgatitore jashtë vendit, për t’u bërë gati për ndeshjet ndërkombëtare, por edhe për të blerë veshje sportive dhe për t’i mbuluar disa shpenzime të tjera të ngjashme.
Komuna e Suharekës, përmes kryetarit Bali Muharremaj fillimisht ia kishte aprovuar kërkesën klubit Portokalli, mirëpo transferimin e parave në llogarinë e klubit e kishte bllokuar dhe ia kishte pamundësuar Qeveria e Kosovës, e cila kishte konstatuar se ky transfer ishte jo-ligjor.
Kjo situatë e kishte nervozuar Ballkanin, i cili kishte reaguar ashpër përmes një komunikate, duke thënë se, meqenëse Qeveria nuk po e ndihmon këtë klub, bile s’duhet ta pengojë atë.
Sidoqoftë, Ballkani nuk u dorëzua asnjëherë.
Klubi i Arsim Kabashit kishte shkuar në Turqi dhe e kishte kryer atje fazën përgatitore.
Më pas i kishte nisur garat evropiane, të parat në histori të tij, në Ligën e Kampionëve, për të vazhduar më pas në Ligën e Konferencës, ku sot e asaj dite po e bën mrekullinë.
E sot, klubi që ishte në zor për 80 mijë euro, një lajm ky që kishte bërë jehonë, i ka bërë milionat falë paraqitjeve të hatashme të tij në garat evropiane, shkruan “Gazeta Express”.
Me suksesin e Ballkanit dhe me fitoren e mbrëmshme ndaj Sivassporit është mburrur përmes një postimi në rrjetet sociale edhe Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e së cilit nuk e kishte përkrahur me kohë këtë klub.
Përfitimet e Ballkanit
Ballkani i kishte fituar fillimisht 280 mijë euro për pjesëmarrjen në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku ishte eliminuar nga Zalgirisi.
Tutje, therandasit i vazhduan garat në Ligën e Konferencës, ku u paraqitën nga rrethi i dytë kualifikues.
Në atë fazë, ata e eliminuan La Fioritan dhe me këtë rast i fituan 300 mijë euro.
Më pas, në rundin e tretë e rrëzuan Klaksvikun për t’i marrë edhe 550 mijë euro.
Ndërkaq, në fazën e “play-offit” e eliminuan Shkupin, duke u pasuruar me 750 mijë euro të tjera.
E kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës i mbushi arkat e klubit kosovar me 2.94 milionë euro të tjerë.
Tutje, në fazën e grupeve deri tash Ballkani i ka zhvilluar tri ndeshje, ku i ka regjistruar një fitore, një barazim dhe një humbje.
Për barazimin me Clujin i kishte marrë 166 mijë euro dhe tash për fitoren ndaj Sivassporit i takojnë 500 mijë euro, që i bie se në grupe deri tani i ka fituar gjithsej 666 mijë euro.
Sa i përket totalit, deri tash, Ballkani i ka fituar 5,536,000 euro, prej tyre rreth 3,6 milionë veç në fazën e grupeve.
Por, jo gjithçka merr fund këtu.
Kjo pasi deri në përfundim të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje dhe çdo fitore eventuale do ta pasurojë këtë klub me nga 500 mijë euro, e çdo barazim i mundshëm me nga 166 mijë sosh.
Në fund të fazës së grupeve, lideri i grupit do t’i fitojë edhe 650 mijë euro të tjerë, kurse vendi i dytë, që po ashtu shkon tutje, do t’i marrë 325 mijë euro.
Pra, krenaria e futbollit shqiptar është në “lojë” të fitojë edhe më shumë para, nëse përfundon në njërin nga dy vendet e para në Grupin G, të cilit është duke i prirë për momentin.
Paratë që i fitoi Ballkani deri tash në garat evropiane
Rrethi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve: 280 mijë euro
Rrethi i dytë i Ligës së Konferencës: 350 mijë euro
Rrethi i tretë i Ligës së Konferencës: 550 mijë euro
“Play-Off” i Ligës së Konferencës: 750 mijë euro
Kalimi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës: 2.94 milionë euro
Barazimi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës: 166 mijë euro
Fitorja në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës: 500 mijë euro
Totali: 5,536,000 euro.