Kanë kaluar 17 vite nga vrasja e gazetarit nga Gjlani, Bardhyl Ajeti, i cili punonte për gazetën Bota Sot, por që autori ende nuk ka zbuluar nga organet e rendit në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.
Ajeti ishte qëlluar me armë në fshatin Bresalc, në hyrje të Gjilanit, teksa me veturën e tij “Mercedes”, po e tërhiqte një kombi, për shkak të një defekti që kishte pësuar.
Nebi Ajeti, nipi i të ndjerit thotë për Enigmën se sistemi i kalbur fund e krye dhe i korruptuar duket se po vazhdon dhe nuk e ka në plan të “zhduket”.
“Tash 17 Vjet pas vrasjes se Bardhylit asgjë nuk ka lëvizur dhe nuk është marr mundimi nga organet kompetente të drejtësisë dhe nga qeveria që të ndermirët diçka ose të del diçka sado pak në dritë”, tha Ajeti.
Prandaj, ai thekson se “bandat dhe kapot e krimit, ata që gjuajtën drejt Bardhylit, ende nuk kanë dalë në pah dhe vazhdojnë të kenë ndikim te shefat e tyre që kanë pas ose kanë pozita komode”.
“Derisa ende nuk është zbardhur asgjë, ne familja presim nëse do vijë ndonjë ditë ndonjë lajm që ka të bëjë me familjarin tonë. Pak ditë me parë vdiq edhe nëna e Bardhylit, shkoi me mallin e djalit që nuk e mori vesh sa ishte gjallë se kush ia vrau”, shtoi ai.
Megjithatë, ai shpreson që vrasja e xhaxhait të tij, të ndriçohet qoftë nga drejtësia në Kosovë, qoftë nga jo ndërkombëtare.
“Ne të tjerët presim që fajtorët të kalben në burg qoftë vendor, por edhe tek ai ndërkombëtar ku duket se gurët kanë filluar te lëvizin”.
Bardhyl Ajeti u qëllua me armë zjarri rrugës duke shkuar në shtëpi në fshatin Bresalc të Gjilanit me 3 qershor të vitit 2005.
Pas disa ditësh, ai ndërroi jetë në Milano të Italisë, atje ku e kishin dërguar për t’u shëruar, por plagët ishin aq të rënda dhe Bardhyli nuk mundi t`u mbijetonte. /Gazeta Enigma/