Banka Botërore vlerësoi të mërkuren se pritet që ekonomia e Kosovës të ketë një rritje prej 7.1 për qind gjatë vitit 2021, se do të rimëkëmbet shpejt, por që rreziqet për rritje janë ende të larta dhe se do të përballet me pandeminë COVID-19.
Raporti “Konkurrenca dhe Rimëkëmbja pas Pandemisë COVID-19” thotë se pas rënies së ekonomisë së Kosovës prej 5.3 për qind vitin e kaluar, aktiviteti ekonomik pritet të rritet me 7.1 për qind në vitin 2021, me ardhjen e diasporës, mbështetjen e masave fiskale dhe rritjen e kredisë.
“Në periudhën afatmesme, Kosova duhet të kalojë në një model rritjeje më të orientuar drejt produktivitetit”, thuhet në raport.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, rritja ekonomike u kthye në trende pozitive gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020. Raporti thotë se parashikimi aktual për ekonominë rajonale është më pozitiv se sa pritej, me një rritje prej 5.5 për qind në 2021.
“Rimëkëmbja u nxit kryesisht nga një rritje e fortë e eksporteve gjatë gjysmës së parë të këtij viti, si rezultat i ringjalljes së aktiviteteve në eurozonë dhe një rritje të konsiderueshme të çmimeve të mallrave, si dhe forcimit të kërkesës së brendshme falë procesit të vaksinimit. Sidoqoftë, rritja e përjetuar nga eksportet mund të zbehet për shkak të përhapjes së vazhdueshme të varianteve më ngjitëse të COVID-19 në botë dhe në rajon”, thuhet në raport.
Banka Botërore pohon se vitin e ardhshëm, rritja ekonomike rajonale do të jetë 3.4 për qind. Rimëkëmbja rajonale, megjithatë, është shoqëruar me përshpejtimin e inflacionit dhe vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj stresit financiar, i cili mund të shkaktohet nga një shtrëngim i mprehtë i kushteve të financimit të jashtëm ose një rritje e menjëhershme e pasigurisë politike dhe tensioneve gjeopolitike, përfundon raporti.