Paraqitja e rreme e fakteve, duke i fshehur apo në çfarëdo forme tjetër mashtruese, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, përbën vepër penale. Raste të tilla janë mjaft të shpeshta në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre bëhet fjalë për shuma të majme parash. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një zyrtar i “TEB”-it. Por kjo nuk është hera e vetme, që ai dyshohet se është mashtruar.
Gazeta Sinjali ka mësuar se tashmë është zbuluar një tjetër rast dhe forma e mashtrimit dyshohet se është e njëjtë dhe lidhet me kredi.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari D.M., ka arritur të marrë një kredi prej 7 mijë eurosh, në degën e TEB-it në Fushë Kosovë, duke dorëzuar dokumente të falsifikuara me rastin e aplikimit në bankë.
Sinjali mëson se i dyshuari ka paraqitur një vërtetim të rremë se është i punësuar dhe një dokument të xhirollogarisë, duke mashtruar kështu bankën dhe si rezultat ka futur në xhep paratë, që i kërkoi si kredi.
Sinjali mëson se pas raportimit të rastit, hetuesit policorë kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast kanë arritur që të sigurojnë prezencën e personit të dyshuar, i cili ka përfunduar sot në Polici.
I njëjti është intervistuar në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij dhe më pas, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.