Banorët e fshatit Butovc kanë protestuar para komunës së Prishtinës, duke kërkuar lejimin e shfrytëzimit të pronave të tyre.
Këtë protestë e ka përkrahur edhe asamblistja e LDK-së, Ema Nikçi-Rexha.
Postimi i saj i plotë:
Në përkrahje të banorëve të fshatit Butovc!
Banorët e fshatit Butovc kërkojnë lejimin e shfrytëzimit të pronave të tyre.
Me vendimin e Komunës së Prishtinës të vitit 2013, fshati Butovc dhe fshatrat e tjera që i rrethojnë kaluan në zonë të gjelbër apo zonë të mbrojtun, kurse me vendimin e vitit 2016 Komuna e Prishtinës bëri një ndryshim ku fshati Zllatar u tërhoq nga zona e gjelbër dhe kaloj në zonë turistike, kurse fshatit Butovc iu shtua perimetri i zonës së gjelbër.
Banorët e fshatit Butovc ishin në konsultime me Komunën e Prishtinës dhe u informuan që edhe me propozimet e reja në draftin 2 dhe 3, fshati Butovc mbetet zonë e gjelbër, duke iu shtuar vetëm shtigjet e ecjes.
Banorët e këtij fshati sot protestuan para Komunës së Prishtinës duke kërkuar lejimin e shfrytëzimit të pronave të tyre sikurse fshatrat rreth tyre, Kolovicë dhe Zllatar.
Mbesim me shpresë që kërkesa e tyre e drejt do të hasë në mirëkuptim të plotë tek organet kopetente të komunës dhe banorëve tu lejohet shfrytëzimi i pronave të tyre sikurse fshatrave që i rrethojnë.