Mungesa e furnizimit me energji elektrike në vend është kthyer në shqetësim për kosovarët. Jashtë kryeqytetit reduktimet janë edhe më të ashpra sesa dy orë. Megjithatë, ka lagje si ajo e ‘Kroit të Vitakut” në Mitrovicën e Veriut që kanë më shumë se një javë pa furnizim të rregullt me rrymë. Me këtë problem nuk merret as KEDS’i sepse nuk ka përgjegjësi për atë zonë. Ndërkohë banorët shqiptarë në këtë lagje jetojnë në mes të territ të Mitrovicës së Jugut dhe dritave të Mitrovicës së Veriut.
Problemi është në një trafo nga e cila kjo lagje e banuar me shqiptarë furnizohet me rrymë. Por sipas banorëve, ajo është dëmtuar dhe askush nuk është marrë me rregullimin e saj.
Në mungesë të rrymës këta banorë po përballen edhe me probleme të tjera sikurse rasti i një lehone e cila nuk ka pasur mundësi të ngrohet. Ajo ishte detyruar të shkonte te familja e saj.
Banorët e kanë nënshkruar edhe një peticion që ia kanë dërguar institucioneve kompetente duke kërkuar riparimin e trafos së dëmtuar. Megjithatë, deri më tani s’kanë marrë përgjigje konkrete.