Klubi i Barcelonës mbetet gjithnjë i fokusuar në merkato me drejtuesit blaugranë që pavarësisht vështirësive financiare kërkojnë të shfryrtëzojnë maksimalisht mundësitë e paraqitura në tregun europian. Por, së fundmi puna për të kërkuar një sulmues mund të jetë më e thjeshtë nga sa parashikohej te blaugranët pasi një prej lojtarëve ofensivë që po shkëlqen në Ligue 1 me fanellën e Lille, i është vetëofruar spanjollëve.
Fjala është për Jonathan David. Lojtari që është pjesë edhe e kombëtares së Kanadasë, këtë sezon po shkëlqen në elitën franceze teksa ia ka dalë të shënojë deri më tani plot 19 gola, po aq sa edhe Kylian Mbappe. Në një intervistë të fundit, 23-vjeçari e pranon se Barcelona është klubi që ka ëndërruar prej fëmijërisë dhe do të transferohej me kënaqësi në Camp Nou.
“Barcelona ka qenë gjithnjë klubi im i preferuar, i ndiqja prej kohës kur isha fëmijë. LaLiga, por këtu duhet të shtojë edhe Premier League, mendoj se janë ëndrra e çdo lojtari. Ndaj, do të preferoja një transferim në një prej këtyre kampionateve”, u shpreh David.