Barnat e njohura për humbje peshe, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, po bëjnë bujë për efektet e tyre të shpejta, por studimet e fundit nxjerrin në pah një kosto shqetësuese: humbjen e masës muskulore, e cila mund të jetë ekuivalente me një dekadë plakjeje.
Këto barna funksionojnë duke ndikuar tek receptorët e oreksit në tru, duke krijuar ndjesinë e ngopjes dhe duke reduktuar marrjen e ushqimit. Edhe pse Ozempic është kryesisht për diabetin tip 2, përdorimi i tij për dobësim është rritur ndjeshëm. Megjithatë, përveç efekteve të njohura si rënia e flokëve, problemet me tretjen dhe lëkura e varur, studimet e reja tregojnë një problem më serioz.
Humbja e muskujve, një dekadë plakje
Raporti i studiuesve kanadezë në bashkëpunim me Les Mills dhe UKActive zbuloi se përdoruesit humbasin sasi të konsiderueshme të masës muskulore. Ky humbje i vendos përdoruesit në rrezik të shtuar nga brishtësia dhe dëmtimet nga rrëzimi, sidomos në moshë të mesme dhe të shtyrë.
“Humbja e muskujve është veçanërisht shqetësuese për të moshuarit, pasi masa muskulore bie natyrshëm me moshën. Humbja e masës muskulore dhe asaj kockore e lidhur me barnat për dobësim gjithashtu mund të rrisë brishtësinë dhe rrezikun e rrëzimeve,” paralajmërojnë studiuesit. Pa trajnim të mjaftueshëm të forcës, kjo situatë mund të jetë e rrezikshme.
Mendimi i ekspertëve
Dr. Jillian Hatfield, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Luginës së Fraser, shpjegoi se pjesëmarrësit që ushtronin 150 minuta në javë dhe konsumonin 500 kalori më pak se rekomandohej humbën rreth 11% të masës muskulore, një efekt i ngjashëm me atë pas kirurgjisë bariatrike, trajtimit të kancerit ose plakjes natyrale për një dekadë.
Bryce Hastings nga Les Mills theksoi se përdoruesit duhet të angazhohen rregullisht në trajnim force për të kundërshtuar humbjen e muskujve, duke shtuar se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtyre barnave.
Përgjigjja e prodhuesve
Novo Nordisk, prodhues i Ozempic dhe Wegovy, rekomandon që pacientët të përdorin barnat vetëm për indikacionet e miratuara dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Sipas kompanisë, provat klinike nuk e kanë studiuar posaçërisht efektin mbi masën muskulore, por një nën-studim sugjeroi ulje të masës muskulore dhe yndyrore.
“Rekomandojmë që pacientët që përjetojnë efekte anësore gjatë përdorimit të këtyre barnave të kontaktojnë profesionistin e tyre shëndetësor,” theksojnë ata.
Eli Lilly, prodhuesi i Mounjaro, pohoi se siguria e pacientëve është prioritet kryesor dhe se barnat duhet përdorur vetëm sipas recetës dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Ata gjithashtu nënvizuan rëndësinë e një diete të balancuar dhe aktivitetit fizik të rregullt për ruajtjen e masës muskulore.
