Basha: Berisha ju ka mashtruar rreth arsyeve përse është shpallur “non grata”

Basha: Berisha ju ka mashtruar rreth arsyeve përse është shpallur “non grata”

Lulzim Basha, kreu i PD-së, në një deklaratë për mediet një ditë para protestës së thirrur nga Sali Berisha, iu ka thënë demokratëve se Berisha i ka mashtruar dhe ka dashur t’i bëjë budallenj me arsyet që ka dhënë se pse është shpallur “non grata” nga SHBA-ja.

“Shpallja “non grata”, si instrument i antikorrupsionit dhe mbrojtjes së demokracisë nga minuesit e saj, po ngrihet si stuhi në Shqipëri dhe në rajon. Kushdo ka mundësi të qartësohet përmes shembujve konkretë për arsyet e këtyre shpalljeve që po shoqërohen me sanksione ndaj pasurisë së paligjshme të personave të shpallur “non grata” dhe sipërmarrjeve që i mbështesin. Sali Berisha ka mashtruar me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’ua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes “non grata”, që merr kohë dhe përfshin disa institucione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamenti i Shtetit deri te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit dhe agjencitë e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit”, tha Basha.

“Sali Berisha, duke njohur mirë ndjenjat proamerikane të shumicës dërrmuese të demokratëve dhe popullit shqiptar, ka mashtruar, duke ju mbajtur të fshehtë me sa ka mundur deklaratat e qarta e të përsëritura të përfaqësuesve të SHBA-së dhe presidentit Biden, se SHBA-ja do të ndërpresë çdo marrëdhënie me një PD të drejtuar nga një person “non grata”, cilidoqoftë ai. Sali Berisha ju ka mashtruar e ushqyer me iluzione sikur “non grata” amerikane është një vendim politik i një administrate… Shpallja “non grata” për korrupsion nuk i është hequr kurrë askujt”, shtoi Basha.

Ai ka thënë se “Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju, duke e përjashtuar veten e tij nga vendimmarrjet më të rëndësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes, madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike dhe me protagonizmnin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura të PD-së”./Gazeta Enigma.

Related Articles