Grupimi i Sali Berishës në Partinë Demokratike dhe Partia e Lirisë e kryesuar nga Ilir Meta, dorëzuan mbrëmjen e së mërkurës dokumentacionin për regjistrimin e koalicionit në zgjedhjet lokale të 14 majit, raporton Gazeta Enigma.
Ndërkaq, dokumentacionin do ta dorëzojnë edhe dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Emri i koalicionit do të jetë “Bashkë fitojmë”, shkruan Euronews Albania.
Më herët gjatë ditës së sotme, Berisha është shprehur se koalicioni për zgjedhjet e 14 majit do të përfshijë shumë parti, ndërsa shtoi se do të merret për bazë rekordi elektoral.
“Koalicioni do të përfshijë të gjithë spektrin e djathtë si koalicion politik. Koalicioni i gjerë do të jetë në shumë parti. Do të merret për bazë rekordi elektoral. Do të dalim fitimtar”, tha Berisha.