Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 21 nëntorit.
Në një komunikatë për media nga BE-ja thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën do të priten në Bruksel nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Të hënën, më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Takimet do të zhvillohet fillimisht ndaras e më pas do të ketë një takim të përbashkët.
Edhe kryeministri Kurti por edhe presidenti serb e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
“Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”, vijon njoftimi.
“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”.
Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga përfaqësuesi i Lartë.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.
Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.