BE-ja lavdëron Vuçiqin: Mirëpresim thirrjet për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës

BE-ja lavdëron Vuçiqin: Mirëpresim thirrjet për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Thirrja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet në Kosovë dhe kthim të tyre në institucionet nga të cilët ishin larguar në vitin 2022 është mirëpritur në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka përsëritur thirrjet e përgjithshme për përmbajtje nga retorika nxitëse, nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, duke përsëritur se kjo thirrje ka të bëjë me të dyja palët dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

“Ne mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për vazhdimin e angazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mënyrë pozitive vërejmë edhe ftesën për serbët e Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës nga të cilat ishin larguar në vitin 2022. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka ftuar Beogradin që të inkurajojë dhe Prishtinën që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës”, ka thënë Stano dhe ka shtuar se procedurat e nevojshme janë pjesë përbërëse edhe nga marrëveshjet e dialogut. “Marrëveshjet nga dialogu përmbajnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe respekt të kornizës ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst implementimi i Bashkësisë/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Stano në emër të BE-së ka përsëritur thirrjet që palët të përmbahen nga ajo që e ka quajtur “retorika nxitëse dhe mashtruese”, si dhe nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat shkojnë kundër dialogut dhe vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sigurinë e qytetarëve.

Zëdhënësi i BE-së ka ftuar të dyja palët që në mënyrë konstruktive të angazhohen në implementimin e plotë të obligimeve nga dialogu. / Gazeta Enigma.

Related Articles