Komisioni Evropian ka publikuar një pako me masa për lehtësimin e rritjes së çmimit të energjisë, që ka shkaktuar shtrenjtim të madh të faturave në mbarë Evropën.
Në mesin e propozimeve që janë miratuar përfshihen zvogëlimi i taksave dhe blerja e përbashkët e karburanteve nga vendet anëtare të BE-së, shkruan BBC, përcjell Gazeta Enigma.
Çmimi i energjisë ka shkuar në nivel rekord për arsye të ndryshme, përfshirë kërkesën e madhe për gaz natyror në kohën kur ekonomitë po rimëkëmben nga pandemia e koronavirusit. Komisioni Evropian ka qenë nën trysni për të marrë masa kundër rritjes së çmimeve.
Nga janari, çmimi me shumicë për gaz natyror është rritur për 250 për qind, duke sjellë rritje të kostove për klientët dhe bizneset.
Të mërkurën, shefja e Komisionit Evropian për Energji, Kadri Simson, tha se komisioni u është përgjigjur thirrjeve për masa duke paraqitur një pako me masa për çmimin e energjisë.
Ajo u bëri thirrje shteteve të BE-së që t’i shqyrtojnë përkrahjen urgjente në të ardhura për amvisëri të ndjeshme, ndihmën shtetërore për kompani dhe uljen e shënjestruar të taksave.
Të gjitha vendeve anëtare gjithashtu iu bë thirrje që ta përdorin fondin e BE-së për rimëkëmbje nga koronavirusi prej 750 miliardë eurosh për të investuar në energji të pastër në mënyrë që të arrihen synimet klimatike të bllokut.