Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, së fundmi ka reaguar pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor në Serbi e ka emëruar së fundmi Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë.
Sipas tij ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, duke përforcuar pabarazinë në institucionet vendimmarrëse në Luginë të Preshevës.
“Tre zëvendësprokurorë shqiptarë në pension janë zëvendësuar me serb. Në rrethin e Pçinjës shqiptarët zënë vetëm 12% të posteve gjyqësore dhe përbëjnë vetëm 2.7% të gjyqtarëve pavarësisht se përbëjnë 30% të popullsisë. Në vitin 2011 është shpërbërë edhe Gjykata Themelore (Komunale) në Preshevë”.
“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Shëndetësore të Preshevës ka qenë mjek serb për 2 vjet, ndërsa serbët përbëjnë vetëm 3% të popullsisë në këtë zonë. Angazhimi i Serbisë për të drejtat e pakicave është inekzistent”, shkroi Bislimi.
Më tej ai shtoi se është urgjente që BE të reagojë dhe të ndalojë këtë diskriminim agresiv të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. /Gazeta Enigma.