Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Masrali, tha sot se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave dhe u bëri thirrje të dyja palëve të qëndrojnë të qetë për të shmangur tensionet e reja.
Në konferencën për media në Bruksel, ajo ritheksoi se Prishtina ka të drejtë të zbatojë vendimin për ndërrimin gradual të targave ilegale, por se procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të dakorduar, gjithëpërfshirëse dhe përmes dialogut.
“Kemi thënë se ky vendim është një hap në drejtimin e duhur, por nuk është pjesë e dialogut që është i detyrueshëm për të dyja palët. Ne përsëri u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë të qetë në mënyrë që të mos ketë tensione të reja në terren”, tha Masrali në konferencën për media.
Nga data 31 marsi deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Bashkimi Evropian mbrëmë ka kërkuar nga Prishtinës që të lejojë një periudhë më të gjatë kalimtare për ri regjistrimin e automjeteve me targa serbe.