Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim mbi masat e Serbisë që synojnë të marrë kompetenca për procedimin e rasteve në territorin e Kosovës, duke i konsideruar këto veprime si shkelje të qartë të obligimeve që Serbia ka nga dialogu.
Nabila Massralli, zëdhënëse e BE-së për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, theksoi se BE kërkon që Serbia të rishqyrtojë draftligjin e propozuar, njofton Gazeta Enigma.
Ajo shpjegoi: “Qysh prej Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta përsa i përket juridiksionit. Draftligji që shpall Kosovën si zonë të mbrojtjes së veçantë dhe i jep autoriteteve gjyqësore kompetenca për të hetuar veprat kriminale në Kosovë përbën shkelje të obligimeve të dialogut dhe është në kundërshtim me përkushtimin e Serbisë në këtë proces.”
Ky reagim është një nga përgjigjet më të qarta të BE-së ndaj masave që Serbia ka thënë se do t’i ndërmarrë në lidhje me Kosovën./GazetaEnigma/