Të hënën në takimin e rregullt të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, do të do të diskutohet për situatën në Kosovë dhe tema të tjera aktuale në Ballkanin Perëndimor. Për këtë ka njoftuar Zyra e BE-së.
Në njoftimin e BE-së, tutje thuhet se në takimin e së hënës do të diskutohet për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, çështjen e targave dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Takimi i ministrave të BE-së, është paraparë si përgatitje për samitin e ri në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Ndryshe, sot shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë thirrje që Kosova të nis negociatat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ka kërkuar kthimin e serbëve në institucione, pas takimit veç e veç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Forumin e Paqes në Paris.
“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme. Këto detyrime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, ka thënë Borrell.