Bedri Hamza tregon se a do të jetë kandidat për kryetar të Mitrovicës

Bedri Hamza tregon se a do të jetë kandidat për kryetar të Mitrovicës

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur rreth kandidimit të mundshëm të tij për kryetar të komunës së Mitrovicës. Hamza në Pressing të T7 ka thënë se është para një udhëkryqi dhe para një dileme, derisa ka shtuar se PDK nuk ka një vendim përfundimtar se kush do të jetë kandidat i saj për kryetar të Mitrovicës.

“Me sinqeritetin ma të madh, jam para një udhëkryqi dhe para një dileme. Ne të gjithë e dimë se për këto çështje vendosin strukturat e partisë. Nuk ka ende vendim përfundimtar kush do të jetë kandidat për Mitrovicën. Mbetet me u pa në ditët në vijim, nuk shkon gjatë kjo”, tha Hamza.

Ai tha se qytetarët e Mitrovicës e mirëpresin kandidaturën e tij për kryetar, ndërsa foli për kryetarin aktual të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe ish-kryetarin Avni Kastrati.

Hamza tha se ishte shumë befasuese humbja e Kastratit në zgjedhjet e vitit 2013, kur garoi kundër kryetarit aktual, Agim Bahtiri.

“E para ka qenë interesant dhe goxha befasuese humbja e zgjedhjeve në vitin 2013 kur zoti Kastrati ka qenë në garë me zotin Bahtiri. Në raundin e dytë, për befasi Bahtiri ka fituar më shumë vota se Kastrati, dhe Kastrati nuk i fitoi as votat që i kishte fituar në raundin e parë”, tha Hamza.

Tutje ai ka folur edhe për problemet në këtë komunë, duke e kritikuar Bahtirin për ndërrimin e shpeshtë të drejtorëve.

“Komuna e Mitrovicës është ndër komunat që ka borxhe më së shumti të papaguara. Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve në drejtori shkakton pengesa. Kur të lypë kushdo qoftë, duhet edhe me e largu, por duhet me e tregu arsyen, problemet e konkurseve në arsim”, tha Hamza.

Related Articles