Bekim Jashari ka disa fjalë për veteranët që vendosën të bojkotojnë festën e Pavarësisë

Bekim Jashari ka disa fjalë për veteranët që vendosën të bojkotojnë festën e Pavarësisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje ka njoftuar se ka marrë vendim që të mos bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Pas këtij njoftimi, ka reaguar edhe ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili tërthorazi ka kritikuar OVL-UÇK-në, duke shkruar se nuk është momenti për bojkot të momenteve festive.

Ai tha se ky bojkot flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.

“Kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim. Vetëm pak ishin ata që bojkotuan dhe nuk u bënë pjesë e “dasmës së lirisë”. Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë. Bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë”, tha ai.

“Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste”, kështu iu drejtua Hamza veteranëve.

“Siç thoshte mixha Rifat: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve.” Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste! Lavdi dëshmorëve”, shkruan Jashari.

Ndryshe, kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot në mbledhjen e mbajtur ka marr vendim që të mos bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Në vendimin e OVL e UÇK-së thuhet se ky vendim vjen pasi sipas tyre Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë që të bashkëpunojë.

“Duke parë të arsyeshme se kjo Qeveri ka qenë një nga qeveritë që ka shkelur çdo të drejtë tonën, ne si OVL e UÇK-së do të organizohemi me degët tona në çdo komunë të Kosovës që heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën sublime të UÇK-së në këto dy data historike në mënyrë të organizuar nga Kryesia e OVL e UÇK-së dhe degët tona t’i festojmë dhe nderojmë në mënyrën më fisnike që na përket neve si luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në vendim.

Related Articles