Anëtari i familjes Jashari, njëherësh edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kujtuar sakrificën sublime të familjes, duke thënë se shqiptarët kudo që jetojnë asnjëherë nuk i harruan dhe nuk i lanë vetëm këtë familje.
Pas homazheve, Jashari para mediave tha se datat 5,6 dhe 7 marsi kujtohen si data kur e tërë lagjja Jashari po luftonte kundër një force të pabarabartë, pasi që ishte një arsenal kundër një familjeje.
“Duke kujtuar këtë sakrificë që 24 vjet më parë ishte po e njëjtë siç tregon Besarta dhe Bashkimi që tani është komandant i FSK-së, ka qenë kohë e njëjtë, po sikur kjo sot që ka filluar sulmet më 5 mars, dhe kanë vazhduar më 6 deri më pasditen e datës 7 në ora 16:00 pasdite, do të thotë 3 ditë luftime. E tërë lagjja Jashari kundër një force absolutisht të pabarabartë, një arsenal i tërë kundër një familje e pas disa ditëve tërë një lagje e sipas dëshmitarëve okularë flitet mbi 15 mijë forca ushtarake policore me një fjalë një arsenal i tërë tokësorë, përpos atij ajror që është përdorur gjatë këtyre tri ditëve”, theksoi ai.
“Kështu që nga ajo ditë e sot janë shqiptarët anë e kënd trojeve tona etike por edhe nga diaspora që nuk na harruan dhe nuk na lanë vetëm asnjëherë si në ditë të mirë si në ditë të këqija”, tha ai.