Berisha në Tepelenë e Gjirokastër: Jemi në monizëm si 32 vite më parë

Berisha në Tepelenë e Gjirokastër: Jemi në monizëm si 32 vite më parë

Kreu i PD nga procesi i Rithemelit, Sali Berisha, ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen e tij, pasi sipas tij pas 32 vitesh demokraci, Shqipëria gjendet sërish në një monizëm të plotë, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim për të ecur të sigurt si dikur drejt fitores ndaj regjimit.

Berisha i bëri deklaratat e tij në takimet me anëtarë e simpatizantë të PD gjatë një turi që ka ndërmarrë në jug të Shqipërisë, duke ndaluar në Tepelenë dhe në Gjirokastër.

Duke ju referuar krijimit të PD-së më shumë se tre dekada më parë, Berisha vlerësoi se “Revolucioni i vitit 1990 solli në skenë forcën politike që do mbronte interesin kombëtar, që do i dilte zot çështjes shqiptare. Sot, pas 32 vitesh, Shqipëria është vite drite larg nga ajo periudhë në shumë aspekte”.

Ish presidenti dhe ish kryeministri i vendit për një kohë të gjatë, Berisha evokoi kohën kur në pushtet ishte PD.

“Sot Shqipëria, falë atij revolucioni është anëtare e NATO-s, tani ka hapur negociatat, shqiptarët lëvizin lirshëm në hapësirën e Shengenit” tha ai.

Duke ju referuar kundërshtarëve të tij, socialistëve në pushtet, Berisha tha se “Nëse monizmi i 32 viteve më parë bazohej në një doktrinë çnjerëzore të marksizëm-leninizmit, sot ky monizëm nuk është i bazuar më këtë doktrinë. Ky monizëm është i bazuar në krimin, i cili në disa aspekte tejkalon çdo lloj standardi, është i bazuar në drogën, që në pamje të parë duket sikur sjell dobi, por paraja e drogës është toksike. Asnjë vend nuk është zhvilluar nga krimi dhe droga”.

Ai ju referua veçanërisht Tiranës si vendi me treguesin më të lartë të ndërtimeve në Evropë, shenjë kjo sipas Berishës i ekonomisë jo të krijuar nga qytetarët, por narko-eurove.

“Ky monizëm i dytë ka pasur pasoja katastrofale për vendin” tha ai.

Sërish duke kujtuar ndryshimet kur në pushtet ishte PD, e cila tashmë synon rikthimin pas afro 12 vitesh në opozitë, Berisha tha se “Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë”.

“Ndaj dhe ne jemi sot në këmbë, jemi përsëri në një revolucion, në një besë me njëri-tjetrin se do të ecim të sigurt drejt fitores tonë” tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Related Articles