Berisha: Qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare

Berisha: Qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare

Në një konferencë për media, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka theksuar se Shqipëria duhet të marrë shembull nga zgjedhjet e lira dhe transparente që u zhvilluan në Kosovë.

Berisha ka vlerësuar se qeverisja e Kosovës është tre herë më afër standardeve të Bashkimit Evropian sesa qeverisja shqiptare.

“Edhe njëherë, dhe shumë herë, duhet të urojmë Kosovën për zgjedhjet model që ka zhvilluar. Ndaj dhe në vlerësimin që bënte një institut shumë prestigjioz, qeverisja e Kosovës dilte 3 herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se sa Shqipëria. 3 herë më afër”, tha ai.

Berisha ka përmendur edhe ndryshimin mes vendeve me histori të ndryshme të pavarësisë, duke theksuar se qytetarët e Kosovës votuan të lirë dhe zgjodhën kryetarët që deshën, duke respektuar ligjin dhe standardet demokratike.

“Qeverisja e një vendi që ka 17-18 vite pavarësi, krahasuar me një vend që ka 100 e ca vite pavarësi. Ishte tregues jashtëzakonisht domethënës. Qytetarët e Kosovës votuan të lirë. Zgjodhën kryetarët që deshën, pati komuna në të cilat fituan krejtësisht të pavarur vetëm me emrin dhe personalitetin e tyre, në rivalitet me partitë e mëdha. Dhe gjithçka u zhvillua në standardet e ligjit, e kundërta e asaj që ndodh me zgjedhjet në Shqipëri, ku narkoshteti dikton çdo gjë. Ku bëhen përpjekje titanike për të legjitimuar farsën elektorale dhe që është përgjegjësia jonë më madhore për t’u ngritur dhe luftuar kundër saj”, ka thënë Berisha.

“Mesazhi i Kosovës është një kushtrim për ne. Unë dua t’i përgëzoj edhe njëherë me gjithë zemër, edhe në emër tuaj dhe në emër të të gjithë atyre që përfaqësojmë, për këtë sukses, i cili është një kushtrim për të gjithë shqiptarët”, tha tutje ai.

Related Articles