Berisha: Rritja e çmimit të energjisë dhe shtypja e protestave po e çojnë Kosovën në krizë

Berisha: Rritja e çmimit të energjisë dhe shtypja e protestave po e çojnë Kosovën në krizë

Ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka kritikuar ashpër Qeverinë, duke e akuzuar se po krijon një klimë të ndarjes dhe konfliktit përmes veprimeve dhe retorikës së saj.

Sipas tij, një Qeveri që nxit përçarje dhe mosbesim prodhon dhunë dhe cenon sigurinë kombëtare.

Berisha ka ngritur shqetësime të veçanta për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15% nga prilli i këtij viti, duke e cilësuar këtë vendim si të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për qytetarët dhe bizneset që tashmë përballen me vështirësi ekonomike.

Ai e ka akuzuar ekzekutivin për manipulim të shqetësimeve qytetare, duke shtuar se qeveria më shumë po mundohet të devijojë vëmendjen sesa të trajtojë problemet reale.

“Kur qeveria, përmes veprimeve dhe retorikës së saj, kontribuon në një klimë të rrezikshme të ndarjes dhe konfliktit, urrejtjes dhe përçarjes, ka impakt në siguri në kontekst me të gjerë.Vendimet e diskutueshme dhe me mungesë të ndjeshmërisë ndaj shqetësimeve të qytetarëve nxisin tensione të brendshme dhe minojnë stabilitetin e vendit.Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15% nga prilli i këtij viti ka shkaktuar pakënaqësi të thellë në mesin e qytetarëve dhe bizneseve, të cilët tashmë përballen me vështirësi ekonomike, për shkak të impaktit gjithpërfshirës që ka.Nëse në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve, qeveria zgjedh, që para se ta shtypë atë, ta manipulojë shqetësimin qytetar përmes skenarëve recidivë komprometues, sa herë duhet të përballet me ta – qytetarët që guxojnë të kundërshtojnë – tregon se është e padenjë të qeverisë.Në rastin ilustrativ të rritjes së çmimit të energjisë, qeveria po mundohet t’iu bëjë diversion politik duke manovruar për ta devijuar vëmendjen dhe zbutur reagimin qytetar, pra ta shuajë në embrion.Arrestimi i protestuesve para zyrave të ZRRE-së është një shembull i qartë i kësaj qasjeje autoritare. Këto veprime jo vetëm që shkelin të drejtat themelore të njeriut, por edhe nxisin më tej ndarjet dhe konfliktet sociale që cenojnë sigurinë edhe ashtu të brishtë,” ka deklaruar Berisha për Gazetën Enigma.

Ish-deputeti i PDK-së ka shprehur shqetësimin e tij për përkeqësimin e sigurisë, duke përmendur numrin e lartë të vrasjeve, vetëvrasjeve dhe rasteve të dhunës në familje e shoqëri gjatë muajve të parë të vitit.

Gjithashtu, Berisha ka kritikuar qeverinë për dështimin në adresimin e tensioneve në veri të vendit, duke theksuar se institucionet nuk kanë arritur të vendosin sundimin e ligjit në atë rajon.

“Më shqetësuese vazhdon të mbetet siguria në veri. Përkundër faktit se nuk do të mund të jemi imunë nga shfaqja e pakënaqësive me forma veprimi të ndryshme për shkak të influencimit të Beogradit, edhe më tej vërehet se qeveria ka dështuar të adresojë tensionet etnike në veri të vendit.
Sulmet e fundit ndaj institucioneve dhe qytetarëve në atë rajon tregojnë për një mungesë të sundimit të ligjit dhe një qasje të dobët ndaj sigurisë kombëtare.
Pra, edhe më tej realiteti flet se atje kemi “zbatim të ligjit pozitiv”, por jemi larg “sundimit të ligjit”, ndërkohë që sovranitet ka vetëm në vijën e kufirit që garantohet nga NATO/KFOR”, ka theksuar ai për Enigmën.

Në fund, ai ka kërkuar nga qeveria që të ndryshojë qasjen dhe të promovojë dialogun, unitetin dhe respektin për të drejtat e njeriut.

“Kosova ka nevojë për një udhëheqje që promovon unitetin, respektin për të drejtat e njeriut dhe një qasje të drejtë dhe transparente ndaj qeverisjes.Vetëm atëherë mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar Berisha./GazetaEnigma/

Related Articles