Berisha viziton punimet e natës në rrugën Prishtinë-Podujevë: Nuk po u punuaka në turn të tretë Kryeministër

Berisha viziton punimet e natës në rrugën Prishtinë-Podujevë: Nuk po u punuaka në turn të tretë Kryeministër

Hisen Berisha, deputeti i PDK-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti po gënjen duke thënë se po punohet gjatë natës për të kryer punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Ai ka vizituar këtë aks rrugor natën e 14 korrikut dhe nga atje ka publikuar disa fotografi. Deputeti ka shtuar se turni i tretë i cili duhet të fillojë punën nga ora 22:00 deri në orën 01:00 nuk ka qenë duke punuar.

“Me shpurën tënde të mashtruesve, improvizuat një vizitë në lotin, ku po kryhen punime, në rrugën Bardhosh, Trudë, Lebanë, Besi, Kulinë, Lupq i Poshtëm, Shakovicë, Lluzhan, në Aksin Prishtinë- Podujevë, (duke i detyruar punëtoret e kompanisë punëkryese, të ndezin makineritë dhe të improvizojnë, sikur po punohet në tre turne). Sonte e vizitova Podujevën, e në periudhën kur fillon turni i tretë, nga ora 22, deri 01h, pas mesnate, vizitova lotet ku po kryhen punimet. Për kureshtje ti bëra disa fotografi e video dëshmi. Nuk po u punuaka në turn të tretë, Kryeministër! E tani po e shoh se as në rrugën Klinë – Gjakovë, në lotin Rakovinë – Kodra e Becit, nuk po punohet, as në dy turne së paku”, ka shkruar në Facebook Berisha.

Berisha ka theksuar se Kurti këtë e ka përdorur si strategji meqë “po hyjmë në vit elektoral” e se po mundohet t’i rrisë investimet publike “që i keni penguar e ndaluar për tri vite”.

“Nuk do të lejojmë ti mashtrosh qytetarët më! As edhe ata që ju i quani ‘analfabet funksional’, se ky popull i vuajtur për liri e mirëqenie, nuk meriton të mashtrohet. Demaskimi i politikave tuaja mashtruese, që tani po rezultojnë edhe të konfirmuara me Radojçiqa e Simiça të Beogradit, është edhe një motiv shtesë, pse do të jem në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar tutje Berisha.

Related Articles