Besar Halimi është deklaruar për barazimin 1-1 të Kosovës ndaj Greqisë në kuadër të kualifikimeve në Kupën e Botës.
Vedat Muriqi e shënoi golin e barazimit në fund të takimit, duke e anuluar atë të epërsisë së grekëve që u shënua në pjesën e parë.
Halimi deklaroi pas ndeshjes se ata nuk i shfrytëzuan shanset që kishin, por që po rikthehen në formën e mirë që e kishin më parë.
“Besoj që kishte mundësi t’i marrim tre pikë, por ishim të pafat”, ka thënë reprezentuesi i Kosovës.
“Goli në pjesën e parë na krijoi probleme, grekët ishin të organizuar në mbrojtje, por Vedati (Muriqi) na shpëtoi”.
“Duhet t’i përmirësojmë dhe t’i shfrytëzojmë shanset, pasi në 16-shën e tyre nuk ishim shumë të rrezikshëm”.
“Në këto dy ndeshjet e fundit kemi treguar se po rikthehemi në formën që e kishim më parë. Kartoni i dytë i verdhë më penalizon ndaj Spanjës, por shpresojnë të marrin një pikë”, ka shtuar më tej Halimi.