Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, ka reaguar në profilin e tij në Facebook, pasi mjekut të vetëm familjar që ka pasur Hani i Elezit nuk i është vazhduar kontrata, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
“Pra, tani kemi një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare që nuk ka Mjek Familjar! “A do ta mbajë ende këtë emër, mbetet të shihet””, thuhet në njoftimin e tij.
Tutje Kodra ka shtua se “me rëndësi është që QKUK – n e kemi plot me mjek! Madje edhe atyre me “vetëfinancim” duhet me ua siguruar financimin. Çka specializojnë dhe a kemi nevojë për ato specializime që ata kanë zgjedhë, pak ka rëndësi”.
Kodra ka bërë edhe një apel për të gjithë qytetarët pas këtij rasti.
“Kthjelluni o njerëz! Shëndetësia ka nisë dhe ekziston për tu përgjigjur nevojave të qytetarëve, jo për me marr një specializim që është fitimprurës!”, ka shkruar ai.
Sipas tij “Ministria e Shëndetësisë specializantëve me vetëfinancim duhet t’u siguroj paga vetëm nëse duan të specializojnë në mjekësi familjare, sepse aty kemi nevojë! Madje, si në rastin e Hanit të Elezit do të duhej edhe shpenzimet e udhëtimit t’u paguante vetëm për t’u siguruar qytetarëve qasje të lehtë në kujdesin shëndetësor!”.
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, ka theksuar se “kujdesi shëndetësor me pacientin në qendër po mbetet vetëm iluzion! Ja kemi huq me të madhe …”. /Gazeta Enigma/