Armand Duka ka dhënë një intervistë për “Studio Sport” në “Vizion Plus”, ku ka dhënë më shumë detaje rreth përzgjedhjes së trajnerit të ri dhe ka folur gjatë e gjerë për shumë tema të tjera.
Kreu i FSHF-së zbulon se shanset janë më të mëdha që këtë herë trajneri të mos ndiqet trendi i viteve të fundit për të pasur trajner të shkollës italiane, ndërsa nga ana tjetër ka pohuar se ka pasur diskutime edhe me trajnerë shqiptarë.
“Ne kemi folur edhe me trajnerë shqiptarë. Kemi biseduar. Dikush e ka pranuar dhe dikush nuk e ka pranuar”, tha ndër të tjera Armand Duka.
Por kush është ky trajner shqiptar që nuk ka pranuar bisedimet për të qenë në krye të stolit të Kombëtares? Nga ajo që ne mësojmë bëhet fjalë për Besnik Hasin.
Arsyeja pse ai nuk ka pranuar bisedimet për të qenë trajneri i ri i Kombëtares mbeten mister, pasi më parë kur është pyetur për këtë temë ka thënë që do ishte një ëndërr e bërë realitet për të.
Trajneri tjetër shqiptar që është përfolur si kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Kombëtares është edhe Ilir Daja, por ky i fundit nuk preferohet shumë nga Duka.