Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka thënë se gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj do të restaurohet pasi dje i ishte vënë zjarri.
“Punimet do të përfundojnë gjatë vitit. Monumenti do të funksionalizohet si hapësirë kulturore e qytetit”, ka njoftuar në Facebook ministri Çeku.
Çeku gjatë ditës ka qëndruar në Ferizaj për të parë nga afër “pasojat e krimit”.
Në këtë vizitë ai është shoqëruar nga kryeprokurori i Ferizajit, drejtori i policisë në Ferizaj dhe krerët e autoriteteve të trashëgimisë kulturore.
“Punimet e restaurimit patën filluar dje, pak kohë para zjarrvënies së orëve të para të mëngjesit të sotëm. Në momentin që zjarrfikësit na lejojnë të kemi qasje në ndërtesë, do të vlerësojmë dëmet dhe menjëherë do t’i vazhdojmë punimet”, ka deklaruar Çeku.
Ai thotë se Ferizaj shumë shpejt do të fitojë një hapësirë të re kulturore.
“Beteja jonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalet. Piromanët e monumenteve duhet të përballen me forcën e ligjit”, ka deklaruar tutje Çeku.