Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka thënë se vendimi i Meta-s t’i dhënë fund Programit të saj të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta dhe për t’i zëvendësuar ata me shënime të komunitetit të krijuara nga përdoruesit është “me të vërtetë i turpshëm”.
Gjatë një konference për media, teksa komentoi vendimin e Mark Zuckerberg, Biden theksoi se të thuash të vërretën është shumë e rëndësishme.
“Ideja që, e dini, një miliarder mund të blejë diçka dhe të thotë, ‘Meqë ra fjala, që nga ky moment ne nuk do të kontrollojmë asgjë.’ Dhe ju e dini, kur keni miliona njerëz që lexojnë, hyjnë në internet, lexojnë këto gjëra… Unë mendoj se është vërtet e turpshme”- tha Biden.
Në anën tjetër, Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) është e zhgënjyer prej vendimit të META për t’i dhënë fund Programit të saj të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta “duke nisur në Shtetet e Bashkuara” dhe dënon rreptë deklaratat e shefit të saj ekzekutiv që e lidhin verifikimin e fakteve me censurë.
“Kjo më fort duket një lëvizje e motivuar politikisht në kontekstin e administratës në ardhje të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, sesa një vendim të bazuar në dëshmi”- ka thënë Clara Jimenez Cruz, shefe e EFCSN.
EFCSN inkurajon Bashkimin Europian që të qëndrojë me vendosmëri përballë presionit të tillë politik dhe të mos heqë dorë prej përpjekjeve të veta për të ndalur përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në Platformat Shumë të Mëdha Online.