Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka paralajmëruar se përhapja e dezinformatave për COVID-19 në rrjetet sociale po “vret njerëzit”.
Ai po i përgjigjej një pyetje nga një reporter në lidhje me rolin e pretenduar të “platformave si Facebook” në përhapjen e gënjeshtrave në lidhje me vaksinat dhe pandeminë.
Shtëpia e Bardhë ka rritur presionin ndaj kompanive të rrjeteve sociale për të trajtuar dezinformimin.
Facebook thotë se po ndërmerr “veprime agresive” për të mbrojtur shëndetin publik.
“Ata po vrasin njerëz,” u tha Biden gazetarëve të premten në Shtëpinë e Bardhë. “E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve.”
Zyrtarët shëndetësorë në SHBA kanë paralajmëruar që rritja aktuale e numrit të vdekjeve dhe infektimeve të COVID-19 po godet ekskluzivisht komunitetet e pavaksinuara.
Në mars, një raport tha se aktivistët anti-vaksinë në Facebook, YouTube, Instagram dhe Twitter kishin arritur “më shumë se 59 milionë ndjekës, duke i bërë këto platformat më të mëdha dhe më të rëndësishme të rrjeteve sociale për anti-vaksistat”, raporton BBC.
Po atë muaj, Mark Zuckerberg, Sundar Pichai dhe Jack Dorsey – drejtorët ekzekutiv të Facebook, Google dhe Twitter përkatësisht – u morën në pyetje në Kongres për dezinformim.
Dorsey u tha senatorëve se Twitter ishte i përkushtuar në moderimin e postimeve. Pichai tha se YouTube punoi për të hequr përmbajtjen mashtruese dhe theksoi rolin e tij në transmetimin e informacionit të vaksinës.