Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të enjten e përshëndeti armëpushimin që u dha fund luftimeve 11-ditore mes Izraelit dhe Hamasit dhe premtoi ndihma humanitare e rindërtim për Gazën.
Duke u paraqitur në një konferencë të shkurtër për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë pas njoftimit për armëpushim, shefi i qeverisë amerikane gjithashtu premtoi se do ta përforcojë sistemin izraelit të mbrojtjes “Kupola e Hekurt”, pavarësisht ankesave brenda Partisë Demokratike rreth shitjes së armëve që ShBA-ja pritet t’ia ofrojë Izraelit.
Bideni tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë përmes Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera ndërkombëtare për të ofruar ndihmë të shpejtë humanitare dhe për të organizuar përkrahje ndërkombëtare për popullin në Gaza dhe për përpjekjet për rindërtim në këtë enklavë.
Ai këmbënguli se ndihma për rindërtim do të ofrohet përmes bashkëpunimit me Autoritetin Palestinez e jo me Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e cilësojnë si organizatë terroriste, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Enigma.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në rajon në ditët e ardhshme për të takuar zyrtarë izraelitë, palestinezë e rajonalë për të diskutuar rreth përpjekjeve për rimëkëmbje dhe për të punuar së bashku për një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët./Gazeta Enigma/