Bideni reagon për shfajësimin e adoleshentit që vrau dy persona

Bideni reagon për shfajësimin e adoleshentit që vrau dy persona

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i zemëruar, pasi një adoleshent që vrau dy persona në një trazirë racore vitin e kaluar në Wisconsin u lirua nga akuzat.

Presidenti shprehu zhgënjim për këtë vendim përmes një deklarate me shkrim para se më parë t’u thoshte gazetarëve se e përkrah vendimin e trupit gjykues, shkruan BBC, përcjellë Gazeta “Enigma”.

“Përderisa vendimi në Kenosha do t’ë lërë shumë amerikanë duke u ndier të zemëruar e të shqetësuar, përfshirë mua, ne duhet të pranojmë se juria ka folur”, thuhet në deklaratën e presidentit amerikan.

Kyle Rittenhouse, 18 vjeç, u pa i emocionuar, kur e dëgjoi vendimin për lirimin nga të gjitha akuzat për të shtënat e 25 gushtit të vitit 2020. Vendimi e ka ndarë ShBA-në në dysh dhe për këtë vendim pati edhe protesta.

I riu u lirua nga dy akuza për vrasje të qëllimshme, një akuzë për tentim-vrasje dhe dy akuza për rrezikim të sigurisë në mënyrë të pamatur.

Rittenhouse ka pranuar se i ka qëlluar për vdekje 36-vjeçarin Joseph Rosenbaum dhe 26-vjeçarin Anthony Huber si dhe e ka plagosur 28-vjeçarin Gaige Grosskreutz, por ka pretenduar se këto veprime i ka bërë në vetëmbrojtje. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles