Numri i personave të prekur me infrakt në zemer në Kosovë, është në rënie për shkak të intervenimeve me kohë.
Kështu ka thënë, kardiologu i Klinikë së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Daut Gorani, në Ditën Botërore të Zemrës.
Kardiologu tregoi faktorët kryesor që mund të shkaktojnë infarkt, duke përfshirë diabetin, hipertensioni, obezitetin dhe mungesën e aktivitetit fizik, derisa jep detaje se si duhet vepruar në kushte shtëpie kur shohim dikë se po pëson sulm në zemër.
Gorani theksoi se gjatë këtë vit kanë realizuar rreth 1857 procedura intervente dhe afër 3 mijë procedura diagnostike, duke shënuar një numër rekord të intervenimeve.
“Numri bie për shkak se ne i trajtojmë anginat para se të ndodhë infarkti, sidomos sivjet kemi realizuar një numër shumë të madh të proceduarve diagnostike dhe intervente, prandaj me realizmin e këtyre procedurave dhe numri i infarkteve bie. Megjithëse, është një trend në krejt botën për shkak të faktorëve të rrezikut në rritje, mirëpo ne e kemi zvogëluar në shtete e zhvilluara, natyrisht për shkak të intervenimeve me kohë nuk vije duke u rritur po duke rënë. Edhe ne po futemi gradualisht në mesin e shteteve të zhvilluara sa i përket trajtimit të sëmundjeve të zemrës…Në këtë vit kemi realizuar një numër rekord të intervenimeve dhe të procedurave diagnsotike, i kemi realizuar diku 1857 procedura intervente dhe afër 3 mijë procedura diagnostike”, tha Gorani.
Kardiologu Daut Gorani foli për faktorët kryesor që shkaktojnë sulm në zemër, derisa potencoi se më të rrezikuarit janë moshat 40 deri në 65 vjeç, duke mos anashkaluar edhe të rinjtë.
“Janë disa faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës në radhë të parë, është niveli i lartë i yndyrave në gjak, pastaj sëmundja e diabetit, hipertensioni, obeziteti, trashëgimia, mungesa e aktivitetit fizik, dhe pirja e duhanit, ajo që është më e rëndësishmja, për shkak të pirejs së duhanit incidenca e infarktit është shumë e lartë…Moshat e reja janë më pak të kursyera, kemi edhe në mosha të reja infarkte të miokardit, sidomos te abuzuesit e drogave, tek këto mosha të reja për shkak të çarjes së enëve të gjakut, ndodh edhe infarkti miokardit dhe kemi pasur edhe raste të tilla, ndërsa më e shpeshtë është diku prej moshës 40 deri në 60 apo 65 vjeçare, natyrisht edhe tek moshat e shtyra”, theksoi eksperti i shëndetësisë.
Përveç këtyre, profesionisti shëndetësor tregoi se dhimbja e gjoksit është shenja kryesore paralajmëruese se mund të prekeni nga infarkti, derisa shtoi se në kushte shtëpie në rast të sulmit, të jepen tre aspirinë dhe tabletë kundër hipertensionit.
“Zakonisht dhimbja e gjoksit, shqetësimet prekordiale, frymëzënia, janë ekuivalente të dhimbjes ose një paralajmërues që diçka ka të bëjë me zemër, por dhimbja e gjoksit është simptoma kryesore…Nëse kemi afër vetit aspirinë, është mirë që tri tableta aspirinë menjëherë të jepen, të matet tensioni arterial , nëse është vlera shumë shume lartë, menjëherë ndonjë antihipertensiv, nëse posedojmë nitroglicerinë është mirë që t’i jepet nitroglicerina, tableta ose sprej ose çfarëdo forme qoftë, natyrisht nëse pacienti nuk e ka tensionin e ulët”, u shpreh Gorani.
Ai shtoi se kanë nevojë për aparatura të reja dhe hapësira më të mëdha për të trajtuar pacientët në këtë klinikë. Ai shtoi se ka nevojë edhe për rritje të stafit të mesëm.
Hapësirat nuk janë të mjaftueshme, ka nevojë për hapësira të reja ka nevojë për aparaturë të re, sidomos në procedurat invazive, aparatura është mjaft e vjetruar, është e konsumuar, është punuar shumë me to. Ne kemi dy aparate të koronarografisë, aparati më ri, edhe ai tani është mjaftë i vjetër, ne i kemi tejkaluar numrin e procedurave të cilat parashihen sipas specifikimit të aparaturës, tani diku mbi 6000 procedura janë punuar më shumë se sa që lejon specifikimi ia tij aparati…Përmirësimi i kushteve, aparaturës së re do ta përmirësonte shumë edhe cilësinë edhe sasinë e punës, vëllimin e punës që mund ta realizonim…është mungesa ë stafit të mesëm sidomos stafit të mesëm të stërvitur për punë në kabinetet e kardiologjisë invazive’, tha Gorani.
Ndërsa, sa i përket furnizimit me barna esenciale, Gorani tha se ndodhë që të kenë mungesë të ndonjë ilaçi, po që sipas tij, qëndrojnë mirë në krahasim me vitet e kaluara, njofton KP.
Përndryshe, më 29 shtator shënohet Dita Botërore e Zemrës. Drejtori Shkencës dhe Shëndetit Publik në Federatën Botërore të Zemrës, Sean Taylor në kuadër të një simpoziumi bëri të ditur se janë rreth 100 milionë njerëz që jetojnë me sëmundje kardiovaskulare në Evropë dhe se numri po shkon duke u rritur.
Ai potencon se janë 2.3 milionë vdekje dhe faktori kryesor i rreziqeve dhe i vdekjeve në përgjithësi është hipertensioni.