Biserko: Në Kosovë ka ende varreza masive të pazbuluara, Serbia nuk është përballur me përgjegjësinë

Biserko: Në Kosovë ka ende varreza masive të pazbuluara, Serbia nuk është përballur me përgjegjësinë

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, ka deklaruar se në Kosovë ende ekzistojnë shumë varreza masive të pazbuluara, të cilat, sipas saj, dëshmojnë për përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës.

Në një intervistë në Klan Kosova, Biserko tha se çdo zbulim i një varreze të re e rikthen në vëmendje çështjen e përgjegjësisë së shtetit serb, i cili, sipas saj, nuk është përballur asnjëherë plotësisht me të kaluarën.

“Ende ka shumë varreza të cilat nuk janë zbuluar dhe të cilat tregojnë për masivitetin e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë, por edhe në Bosnje e Kroaci”, deklaroi ajo.

Biserko theksoi se, ndonëse Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë kishte dënuar udhëheqës ushtarakë dhe politikë të Serbisë për krimet në Kosovë, gjykata për krime lufte në Serbi nuk vazhdoi me ndjekjen e personave të niveleve më të ulëta.

Ajo përmendi edhe rastin e Brigadës së 37-të të Motorizuar, të udhëhequr nga Lubisha Dikoviq, i cili më vonë ishte emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

Biserko foli edhe për një person nga Istogu, i cili, sipas saj, kishte treguar vendndodhjen e një varri në Zubin Potok dhe më pas ishte arrestuar nga Agjencia serbe e Inteligjencës, BIA.

Sipas saj, personat që dëshmojnë për përgjegjësinë e Serbisë përballen me presione dhe vështirësi të mëdha, për shkak të narrativës zyrtare në Serbi se serbët ishin viktimat kryesore të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ajo kujtoi gjithashtu se gjatë luftës në Kosovë mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa shumë prej tyre u përballën me shkatërrimin e dokumenteve personale.

Biserko vlerësoi se hapja e arkivave ushtarake dhe policore të Serbisë do të mundësonte identifikimin e personave përgjegjës për krimet e kryera në Kosovë, por shtoi se është e vështirë të pritet që Beogradi ta pranojë një kërkesë të tillë.

Sipas saj, në krimet e luftës nuk kishin marrë pjesë vetëm formacionet paraushtarake, por edhe njësitë e rregullta të ushtrisë jugosllave.

Related Articles