Biserko: Në veri po provokohej konflikt që të hynte ushtria serbe e të ndahej Kosova

Biserko: Në veri po provokohej konflikt që të hynte ushtria serbe e të ndahej Kosova

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për CdM, ka thënë se sulmi në veri të Kosovës mund të pritej, duke pasur parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit.

“Grafiti ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’ si njoftim ka vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brendësinë e Serbisë. Më pas ishte fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregon se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet 1990 kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë”, shpjegon qartë Biserko.

Ajo ka thënë se po bëhet gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt që më pas ushtria serbe të hyjë “për të mbrojtur popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë të bëhet realitet ndarja e Kosovës”.

“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që Perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, ka thënë Biserko për CdM.

Ndonëse, siç shton ajo, Vuçiq po përpiqet të mbrohet dhe të kalojë përgjegjësinë te serbët e Kosovës, të cilët sipas saj, gjithsesi janë pengjet e tij, duke pretenduar se ai nuk e kontrollon Kosovën. Sipas saj të gjitha informacionet tregojnë se Beogradi ishte i implikuar.

Sipas Biserkos, Rusia gjithashtu ka një interes për krijimin e tensioneve dhe hapjen e pikave kritike në mënyrë që të largojë një pjesë të vëmendjes nga Ukraina. Është indikative, thekson ajo, se të nesërmen Vuçiq priti ambasadorin rus për t’u ankuar se Kurti po përgatitë “spastrimin etnik të serbëve”.

Ajo ka theksuar se edhe komuniteti ndërkombëtar është përgjegjës për tolërimin e gjatë të sjelljes së presidentit Vuçiq dhe kërcënimeve të tij ndaj fqinjëve të tij, “të cilat janë të përditshme dhe që pashmangshmërisht çuan në konflikt”.

Qeveria e Serbisë në një seancë të jashtëzakonshme e shpalli 27 shtatorin Ditë zie lidhur me ngjarjet tragjike në Kosovë.

Të dielën e 24 shtatori në Banjskë të Zveçanit u vra një polic e u plagosen tre të tjerë nga sulmues të armatosur serbë.

Related Articles